Wednesday, September 15, 2010







historia e Skënderbeurt

Moisiu u kthye në Krujë i penduem dhe i kërkoi ndjesë prijësit të kombit. Skënderbeu zemërluani u tregue burrë shteti i vërtetë dhe e fali dezertuesin që i kishte ra ndër kambë. Prej asaj kohe Moisiu luftoi trimnisht për kauzën kombtare deri ditën që pësoi vdekjen e martirit nga dora e anmikut. Gjergj Kastrioti muer hakun e disfatës së Beratit më 1457, kur Sulltani dërgoi nji ushtëri prej 80.000 vetësh për me i dhanë grushtin e vdekjes. Skënderbeu manevroi në mënyrë që t'u linte Turqve përshtypjen se nuk guxonte me iu dalë përpara dhe u vërsul përmbi ta si shqiponja kur nuk e prisnin. Humbjet e anmikut besohet të ken arrijtë 15.000 deri 30.000 të vramë. Hamzë Kastrioti kishte ardhë me ushtërin turke për me u ba sundimtar i Shqipnis ndën hijen e Sulltanit. Ai u zue rob dhe u mbyll në kështjellën e Krujës. Skënderbeu tregoi edhe nji herë shpirtmadhësin e tij tue falë tradhëtin e të nipit, të cilin e kishte dashtë aq shumë. Mbas kësaj fitorje të rë që habiti botën, aq ma tepër sepse ishte e papritun, Papa Kalikst i III emnoi Gjergj Kastriotin si kryekapedan të Selis së Shenjtë. Në nji letër drejtue Perandorit të Gjermanis, Frederikut të III, Shefi suprem* i Krishtenimit e cilson Skënderbeun si luftëtar të palodhun dhe si Ushtar të Krishtit me krahun e pathyeshëm. Në nji rast tjetër, Papa Kalikst i III flet për "birin tonë të shtrenjtë Skënderbeun fisnik, mbretin e Shqipnis". Më 1460 Gjergj Kastrioti pat rastin me I shpërblye trashëgimtarit të Alfonsit të V, mbretit Ferdinand të Napolit, ndihmën bujare që i kishte dhanë i ati. Alfons Shpirtmadhi vdiq me 1458 tue lanë si trashëgimtar Ferdinandin, birin e tij pa kunorë. Papa Kalikst i III, i cili ishte prej origjine spanjolle, e kishte marrë mbretin e Napolit në gazep për shkak se ai nuk deshi me marrë pjesë në Kryqzatën kundër Turqve dhe dërgoi flotën kundër Gjenovezve. Anmiqsija e papajtueshme e Alfonsit e kishte nxitë Republikën detare të Gjenovës me u afrue me dinastin angjevine. Në vitin e vdekjes së Alfonsit, Gjon Anjou u proklamue mbreti protektor* i Gjenovës. Nji mot ma vonë ai organizoi speditën ushtarake për të zaptue Napolin. Lufta vazhdoi dy vjet por Napoli nuk ra në duert e Gjonit. Megjithatë Ferdinandi nuk e ndjente vehten të sigurtë mbi fron, mbasi ishte i kërcënuem nga baronët feodal t'Italis së Jugut.

No comments:

Post a Comment